Foto: EU COMMISSION/POOL/ AFP
Komisioneri Evropian për Zgjerim Oliver Varheli i paraqet Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian Paketën e Zgjerimit për vitin 2024, përfshirë raportet e Komisionit Evropian për vendet kandidate dhe kandidatët potencialë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Varheli tha se Mali i Zi ka bërë progres në fushën e sundimit të ligjit.
Ai theksoi se deri në fund të vitit ndoshta do të mbyllen katër kapituj në negociatat me BE-në.
“Mali i Zi paraqiti një plan ambicioz për të qenë pjesë e BE-së në vitin 2028 dhe ne jemi të gatshëm ta mbështesim atë agjendë ambicioze”, tha Varheli.
Eurodeputeti nga Sllovenia, Marjan Sharec, u konfirmua raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Malin e Zi. Në mbledhjen e bordit ai tha se në raportin e fundit për Malin e Zi mbizotëron një ton pozitiv.
“Ka ende probleme me gjyqësorin, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e mjedisit. Lufta kundër korrupsionit ende nuk është fituar, megjithëse shteti bëri një hap të madh përpara vitin e kaluar. Shumica politike duket se është e gatshme të të miratojë ligje që do ta afrojnë Malin e Zi me BE-në”, tha Sharec.
Ai tha se gjithçka tregon përparim dhe duke pasur parasysh gjithçka të arritur, pyeti nëse BE-ja mund të hapë një zyrë për vendet e Ballkanit Perëndimor në Podgoricë.
“Unë mendoj se ne duhet të njohim përparimin e bërë dhe mbështetja në vend është e lartë, 80 për qind e popullsisë është në favor të anëtarësimit në BE,” tha Sharec.
Paketa e zgjerimit që KE miraton çdo vit përfshin një vlerësim të gjendjes së procesit të pranimit dhe zbatimin e reformave në disa vende që duan të anëtarësohen në BE, përfshirë Malin e Zi.
Pas vlerësimit të Komisionit për reformat në çdo vend që është në proces të integrimit evropian, raportuesit e AFET do të hartojnë rezoluta për ato vende me konkluzionet dhe rekomandimet e Parlamentit Evropian.