Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Pasi Agjencia Rregullatore e Energjisë vendosi të rrisë çmimet për shërbimet e rrjetit, me çka do të shtrenjtohej energjia elektrike nga janari i vitit 2025, kryeministri Millojko Spajiq ka takuar sot ministrin e Energjisë Sasha Mujoviq, drejtorin e CEDIS, Vlladimir Ivanoviq dhe drejtorin e CGS-së, Ivan Asanoviq.
Pas takimit, kryeministri tha se nga 1 janari 2025 faturat e energjisë elektrike për qytetarët do të mbeten të njëjta dhe theksoi se Qeveria respekton vendimin e rregullatorit të pavarur dhe ruan stabilitetin e sektorit të energjisë, por gjen një mënyrë për të mbrojtur qytetarët, të cilët as nga viti i ardhshëm nuk do të ndjejnë rritje të shërbimeve të rrjetit në faturat e tyre.
„Qeveria respekton vendimin e rregullatorit dhe ruan stabilitetin e sektorit të energjisë, por ka gjetur një mënyrë për të mbrojtur qytetarët, të cilët pasi EEMZ nuk e rriti çmimin e energjisë aktive, nuk do të ndjejnë as rritje të shërbimeve të rrjetit në faturat e tyre. Ndaj nuk do të ketë asnjë rritje të faturave të energjisë elektrike në asnjë formë për qytetarët tanë, që nga janari i vitit 2025,“ tha kryeministri.