MBËSHTETJA PËR UKRAINËN, SHBA KËRKON NDIHMËN E G20: POR KONSENSUSI, I VËSHTIRË

Foto: Reuters

Kur kanë mbetur vetëm dy muaj nga përfundimi i mandatit të Presidentit Joe Biden, dhe betimit të Donald Trumpit që zotohet të mbyllë sa më parë konfliktin, Shtetet e Bashkuara po përpiqen me çdo kusht të shtojnë ndihmën për Ukrainën.

Për këtë arsye, në takimin e nivelit të lartë të G20-ës në Rio de Zhaneiro të Brazilit, ku po takohen Biden dhe udhëheqësit e 20 ekonomive më të mëdha të botës, zyrtarët amerikanë po bëjnë trysni për një gjuhë “sa më të fortë të mundshme” në mbështetje të Kievit.

Korin e kritikave e përforcoi fakti që Moska ndërmori këtë fundjavë sulmin më të madh ajror në territorin ukrainas të muajve të fundit, si edhe paralajmërimet se Rusia po shton përpjekjet e luftës që mund të kenë një efekt destabilizues përtej Europës. Në fillim të këtij muaji, SHBA dhe Ukraina njoftuan se Koreja e Veriut ka dërguar më shumë se 10,000 trupa për të ndihmuar Moskën të rimarrë territorin e marrë nën kontroll nga Ukraina në rajonin Kursk të Rusisë.

Megjithatë, duket se gjetja e një konsensusi për konfliktet globale është e pamundur duke pasur parasysh përbërjen e G20-ës. Përveç vendeve të G7 që janë përgjithësisht në një emërues të përbashkët, G20 përfshin edhe Rusinë, Kinën dhe vende në zhvillim. Washingtoni autorizoi së fundi Kievin të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga Amerika për të goditur në thellësi të Rusisë, sipas njoftimeve të mediave që citojnë zyrtarë që kanë folur në kushte anonimiteti.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov reagoi duke pohuar se nëse ky njoftim është i vërtetë, ai “do të shënojë një raund të ri tensionesh dhe niveli përfshirjeje të SHBA-së në konfliktin e Ukrainës”.

SHARE