GJELOSHAJ: NË TETOR INFLACIONI TOTAL VJETOR RA NË 1.2 PËR QIND

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj bëri të ditur se në tetor të këtij viti norma totale e inflacionit vjetor ka rënë në 1.2 për qind.

Ai tregon se sipas të dhënave të Monstat, norma mujore e inflacionit për muajin tetor është 0 për qind, që do të thotë se çmimet nuk kanë ndryshuar në krahasim me shtatorin.

“Rënie çmimesh është shënuar në grupin e produkteve “Ushqime dhe pije joalkoolike” në masën – 0.1 për qind, d.m.th. norma e inflacionit është negative në raport me këto produkte. Duke pasur parasysh sa më sipër, është e qartë se aksioni “Çmime të limituara” i Qeverisë së 44-të të Malit të Zi, pa rrezikuar vazhdimësinë e ofertës në treg, ndikoi në stabilizimin dhe uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë si dhe në normën e përgjithshme të ulët të inflacioni në Mal të Zi”, tha Gjeloshaj.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, shton ai, do të vazhdojë të monitorojë në vazhdimësi çmimet e ushqimeve bazë sipas metodologjisë së përcaktuar dhe në përputhje me këtë do të propozojë masa për mbrojtjen e standardeve të qytetarëve.  

SHARE