E lehtë dhe shumë e shëndetshme, supa me brokoli dhe presh është receta më e mirë për të mbajtur trupin në formë.
Vlerat ushqimore, e bëjnë brokolin dhe preshin ndër perimet e gjelbra më të shëndetshme.
E kombinuar në një recetë supe me presh dhe e gatuar me disa përbërës të tjerë po aq të shëndetshëm siç është vaji i ullirit apo edhe patatet e karrotat, kjo pjatë është e mbushur plot me vlera shëndetësore krahas shijes së lehtë të saj.
Ndiqni më poshtë recetën e AgroWeb.org për supën me brokoli, për ta përgatitur atë krej lehtë në shtëpi.
Si Ta Përgatisni Në Shtëpi
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4 – 5 persona)
400 gr brokoli
4 lugë gjelle vaj ulliri
1-2 presh mesatarë (përdorni vetëm pjesën e bardhë)
1 karrotë
1-2 patate mesatare
1 l lëng i nxehtë pule ose perimesh
Kripë
Majdanoz
Piper
Përgatitja
Si fillim, pastrojmë të gjitha perimet me ujë të rrjedhshëm.
Preshim e grijmë hollë, patatet dhe karrotat i qërojmë dhe i presim në kubikë të vegjël ndërsa ndajmë brokolin në degëza të vogla.
Në një tenxhere hedhim një lugë gjelle vaj ulliri e vendosim në zjarr dhe më pas shtojmë preshin e grirë hollë, e kaurdisim për 2-3 minuta derisa volumi të ulet pak.
Më pas shtojmë karrotat dhe patatet e prerë në kubikë, vijojmë t’i kaurdisim për pak.
Shtojmë lëngun e nxehtë të pulës ose perimeve dhe i lëmë të zjejnë bashkë përreth 30 minuta.
Për të përfituar maksimalisht nga vlerat e brokolit, AgroWeb.org ju sugjeron që t’i shtoni degëzat e brokolit 10 minutat e fundit që të ziejnë bashkë me përbërësit e tjerë të supës.
I heqim nga zjarri dhe sipas preferencës mund t’i fusni në mikser derisa të jetë përftuar një masë kremoze e supës.
Supën e rregullojmë me kripë dhe piper.
E hedhim në tasat e servirjes së supës, i spërkasim me vajin e ullirit dhe majdanoz të grirë hollë dhe e shërbejmë të ngrohtë dhe me bukë të thekur shoqëruar./AgroWeb.org