Vaj Ulliri dhe Lëng Shege – Trajtimi Ideal i Lëkurës

Shegët janë pa kurrfarë dyshimi, një ndër frutat më mirëbërës për shëndetin e njeriut.

Mund t’i quajmë pa frikë ‘super fruta’ sepse janë të pasura me antioksidantë të jashtëzakonshëm të cilët luftojnë shenjat e para të plakjes dhe gjurmët e saj në lëkurë.

Për këtë arsye, por jo vetëm, shumë njerëz i referohen pemës së shegës si ‘pema e jetës.’

Në industrinë e kozmetikës, shega është një nga frutat më të përzgjedhur për krijimin e produkteve të mira për lëkurën.

Megjithatë, secila prej nesh nuk ka nevojë të paguajë qimet e kokës për një krem, kur të mirat e shegës mund t’i përfitojë lehtë dhe për më tepër, lirë.

Le të kalojmë tek vaji i ullirit, një ushqim fantastik i pasur me vitamina, minerale e antioksidantë që jo vetëm ulin kolesterolin dhe mbrojnë shëndetin e zemrës por i bëjnë mirë edhe lëkurës.

Vaji i ullirit shërben si një ushqyes natyral i mrekullueshëm për lëkurën.

Ai e hidraton atë në thellësi dhe nxjerr në pah shkëlqimin dhe gjallërinë e humbur të lëkurës.

Duke marrë në konsideratë këto vlera, ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë përdorimin e lëngut të shegës dhe vajit të ullirit për të luftuar shenjat e plakjes dhe për t’i dhënë lëkurës pamje dhe shkëlqim rinor e të shëndetshëm.

Maska Me Lëng Shege Dhe Vaj Ulliri

Për përgatitjen e kësaj maske ju nevojiten:

  • 1 lugë gjelle vaj ulliri ekstra të virgjër.
  • 2 lugë gjelle lëng të freskët shege.

Përgatitja: 

  1. Vajin e ullirit dhe lëngun e shegës përziejini së bashku në një enë qelqi.
  2. Lajeni fytyrën dhe zonën e qafës sipas rutinës tuaj të përkujdesjes për lëkurën.
  3. Për vendosjen e maskës ju nevojitet një furçë, me të cilën mund të siguroni një mbulim gjithëpërfshirës të fytyrës, qafës dhe zonës së dekoltesë.
  4. Maska duhet mbajtur për rreth 15 minuta.
  5. Më pas, përdorni pambuk të lagur për ta hequr atë nga lëkura.
  6. Pas maskës, sigurohuni të lyeni fytyrën me kremërat tuaj ushqyes dhe hidratues./AgroWeb.org
SHARE