SHTYHET SEANCA PËR REZOLUTËN E POLICISË SË KOSOVËS, NUK KA KUORUM

Seanca e jashtëzakonshme për rezolutën në mbështetje të Policisë së Kosovës e paraqitur nga partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka përfunduar pa ndonjë vendim.

Pas prezantimit të rezolutës dhe fjalës së disa prej deputetëve opozitarë, për shkak se në sallë morën pjesë vetëm 28 deputetë nga opozita, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se në mungesë të kuorumit rezoluta shtyhet për votim seancën e radhës.

Në seancën, e cila u bojkotua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje përpos deputetit Eman Rrahmani, deputeti i PDK-së, Rashid Qalaj, i cili bëri prezantimin e rezolutës kërkoi votimin e saj para deputetëve ngase qëllimi është mbështetja e institucionit policor.

Qalaj tha se përmes rezolutës kërkohet që Policisë së Kosovës t’i kthehen shtesat monetare për rrezikshmërinë, sigurimi shëndetësor dhe t’u mundësohet dalja në pension të parakohshëm.

“Nga hyrja në fuqi më 5 shkurt 2023 nga Ligji për Paga në sektorin publik, zyrtarëve policorë i është ndaluar shtesa e rrezikshmërisë, shtesë të cilën policët e Kosovës e kanë marrë gjithmonë në të kaluarën. Ky është vendim i padrejtë dhe ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre por edhe në motivin e punës së tyre të përditshme”, theksoi Qalaj.

Ai përmendi edhe kushtet e vështira me të cilat përballen policët në Kosovë, si dhe rastin e 24 shtatorit kur nga një sulm i armatosur në Banjskë të Zveçanit ndaj njësiteve policore u vra në detyrë polici Afrim Bunjaku.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, nga ana e tij, tha se edhe pse u tregua një unitet i partive pas sulmit të 24 shtatorit, sipas tij, kjo nuk po ndodh në këtë seancë.

“Kur ne flasim për nevojat elementare esenciale për pjesëtarët e Policisë, na mungon shumica parlamentare të cilët verbalisht ishin në përkrahje të tyre, e sot nuk shprehin gatishmërinë që nga opozita të dëgjojnë se si të përmbushen nevojat e tyre”, tha Quni.

Gjatë këtij muaji, Sindikata e Policisë së Kosovës formoi një peticion përmes së cilit kërkohet përmirësim i kushteve të punës. Peticionin e kanë nënshkruar 5.623 pjesëtarë të Policisë dhe në mesin e kërkesave janë shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fund të vitit për performancë të mirë, tre paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritje e përvojës së punës, sigurim shëndetësor e jetësor, si dhe ligji për pensionim në Polici.

SHARE