Forumi Shqiptar, në takimin që u mbajt mbrëmë, ka vendosur që të mbështesë parimet programore të mandatarit Millojko Spajiq, për formimin e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi, në ç’mënyrë edhe e ka pranuar pjesëmarrjen në të.
„Si subjekti politik më i madh i Shqiptarëve në Mal të Zi, Forumi Shqiptar në këtë mënyrë synon ta vërtetojë përkushtimin programor të të gjithë subjekteve që e përbëjnë, se Shqiptarët në Mal të Zi të jenë partner i vërtetë i të gjithë forcave demokratike pro-perëndimore në Mal të Zi në rrugën e tij evropiane dhe evroatlantike. Marrja e vendimit të këtillë është lehtësuar me frymën demokratike pro-perëndimore të vetë parimeve programore të mandatarit Spajiq, veçanërisht atyre që flasin për vendosmërinë për të qëndruar në rrugën drejt hyrjes në BE, me gatishmëri për harmonizimin e plotë të politikës së jashtme të Malit të Zi me politikat e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, si dhe që Mali i Zi të jetë vend anëtar i besueshëm i Aleancës NATO dhe që të vazhdojë bashkëpunimin miqësor me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe Republikën e Kosovës,“ shkruan në njoftimin e Forumit Shqiptar, drejtues i të cilit është Nik Gjeloshaj.
E bëjmë këtë, siç thonë ata, edhe për shkak të qëllimit të tyre që me pjesëmarrje në Qeveri të kontribuojnë avancimit të statusit dhe pozitës së Shqiptarëve në Mal të Zi, në themele të standardeve demokratike të BE-së që i referohen çështjes së të drejtave të pakicave kombëtare.
„Në këtë drejtim, Forumi Shqiptar do të ofrojë një dokument konkret, që mbi parime të aksionit afirmativ, do të mundësojë pjesëmarrjen e barabartë të Shqiptarëve në procese shoqërore, me theks të veçantë tek përfaqësimi proporcional i tyre në institucione të shtetit dhe shërbime publike të Malit të Zi, si dhe tek decentralizimi i pushtetit, ky që nënkupton më shumë autonomi për vetëqeverisjet lokale. Për të arritur të gjitha të sipërpërmendurat, Forumi Shqiptar është i gatshëm për bashkëpunim edhe me subjektet me të cilët, në procese demokratike të deritanishme, ka pas dallime, por të cilat dallime i ka zbutur koha dhe ka bërë që të kuptohet domosdoshmëria e veprimit të përbashkët drejt forcimit dhe kultivimit të mëtejshëm të bashkëjetesës në Malin e Zi demokratik, të pavarur dhe sovran. Kjo konfirmohet edhe me nënshkrime të të gjithë subjekteve që japin mbështetje Qeverisë së ardhshme për Marrëveshjen e propozuar, përkushtimet programore e të cilës janë kompatibile edhe me qëllimet programore të Forumit Shqiptar,“ thuhet në deklaratën e Forumit Shqiptar.