ABAZOVIQ-DAMJANOVIQ: DO TË KETË REGJISTRIM, BOJKOTI ËSHTË I PAPËRSHTATSHËM

Vendi është i gatshëm të organizojë regjistrimin, tha kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq.

Abazoviq u tha gazetarëve në Qeveri se bojkotimi i regjistrimit është i papërshtatshëm.

“Mendoj se njerëzit që gjoja mbrojnë interesat shtetërore të Malit të Zi dhe gjoja luftojnë për të drejtat e malazezëve dhe vazhdimisht e shtyjnë shtetin në pozicion mbrojtës, po i bëjnë dëm të madh shtetit”, tha kryeministri.

Ai thotë se PDS-ja me sjelljen e saj po e shtyn shtetin në mbrojtje dhe kërkon ta paraqesë atë si të paaftë për të marrë vendime.

Abazoviq përkujtoi se regjistrimi është shtyrë për dy vjet.

“Kjo qeveri ka marrë një vendim për regjistrimin e popullsisë. Për sa na përket ne besojmë se duhet të bëhet një regjistrim. Nëse Qeveria e re mendon ndryshe, paçin fat”, tha kryeministri dhe ftoi të gjithë qytetarët të shprehen lirshëm.

„Ky është një vend i lirë dhe nuk ka asnjë arsye për të qenë në mbrojtje”, tha kryeministri.

Ndërsa ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq, duke folur për regjistrimin e popullsisë, tha se procesi do të përfundojë deri në fund, dhe se reagimi i Parlamentit Evropian është “përpjekje për të shtyrë një rezolutë jodetyruese”.

Ai thotë se Eurostat ka dhënë mbështetjen kryesore për regjistrimin. Ai shprehet i bindur se qeveria e re do të vazhdojë atë që nisi qeveria në largim.

“Ne kemi përgatitur gjithçka dhe u takon atyre që të zbatojnë lehtësisht pavarësisht bojkotit, gjë që do të prishë ekuilibrin në disa përqindje, por sipas ligjit ekziston një mekanizëm për ta zëvendësuar me regjistrat ekzistues, kështu që nuk mund të jetë pengesë,“ ka theksuar Damjanoviq.

SHARE