BETOHEN MINISTRAT E RINJ TË QEVERISË SË SHQIPËRISË, MARRIN ZYRTARISHT DETYRËN

Në Presidencën e Shqipërisë është zhvilluar ceremonia e betimit të ministrave të kabinetit të ri qeveritar të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, raporton Anadolu.

Pas betimit para Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, kabineti i ri qeveritar “Rama 4” ka filluar zyrtarisht detyrën, ndërkohë pjesë e tij për herë të parë është edhe një ministre virtuale.

Sipas dekretit të Presidentit Begaj, Edi Rama është emëruar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Sipas dekretit, “Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale Diella”.

Në qeverinë e re Belinda Balluku është emëruar zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke u rikonfirmuar në këtë post. Albana Koçiu është emëruar në postin e ministres së Punëve të Brendshme.

Elisa Spiropali është emëruar ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, Pirro Vengu ministër i Mbrojtjes, Petrit Malaj si ministër i Financave dhe Blendi Gonxhja ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Ministër i Mjedisit është emëruar Sofjan Jaupaj dhe Mirela Kumbaro Furxhi në postin e ministres së Arsimit, ndërsa Evis Sala ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Delina Ibrahimaj është emëruar si ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Besfort Lamallari ministër i Drejtësisë dhe Andis Salla ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ervin Demo është emëruar ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, Adea Pirdeni ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Toni Gogu ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Ndërkohë, Majlinda Dhuka është dekretuar ministre Shteti dhe Kryenegociatore me Bashkimin Evropian.

Për herë të parë pjesë e kabinetit qeveritar do te jetë edhe një ministre e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, që sipas autoriteteve shqiptare do të merret me çështjet e prokurimeve publike.

Më 11 maj 2025 në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet parlamentare për përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 120 mandate. Partia Socialiste e drejtuar nga Kryeministri Rama fitoi zgjedhjet me 83 mandate, duke siguruar mandatin e katërt qeverisës.

Më 12 shtator u mbajt seanca e parë e legjislaturës së re, e dalë nga zgjedhjet e majit, ndërkohë Niko Peleshi, deputet i Partisë Socialiste, u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë.

Më 18 shtator Kuvendi i Shqipërisë miratoi programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.

Edi Rama u zgjodh në vitin 2005 kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe në postin e kryeministrit është që nga viti 2013.

SHARE