Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Në Podgoricë është përmbyllur takimi i 24-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi, me miratimin e një Deklarate të përbashkët me rekomandime.
Takimin e kryesuan Dejan Gjuroviq nga Kuvendi i Malit të Zi dhe Tomas Vajc nga Parlamenti Evropian.
Gjatë dy ditëve të diskutimeve, deputetët nga të dyja palët shqyrtuan ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi në BE, gjendjen në fushën e sundimit të ligjit, reformën e legjislacionit zgjedhor, si dhe zhvillimet në bujqësi, zhvillimin rural dhe turizmin e qëndrueshëm.
Dita e dytë u fokusua veçanërisht te reforma zgjedhore dhe kapitulli i negociatave për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Deputetët përshëndetën miratimin e paketës së ligjeve zgjedhore dhe theksuan rëndësinë e zbatimit të tyre në praktikë, duke vlerësuar konsensusin e gjerë politik që u arrit për këto ligje si një hap të rëndësishëm drejt përforcimit të kornizës ligjore dhe demokratizimit të vendit.
Në prani të ministrit të bujqësisë, Vlladimir Jokoviq, u diskutua progresi në kapitullin 11 të negociatave. U vlerësua përkushtimi serioz i Malit të Zi në përafrimin me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të BE-së, por u theksua nevoja për përforcim të mëtejshëm të kornizës ligjore dhe institucionale.
Deklarata përfundimtare thekson se Mali i Zi ka bërë përparim të rëndësishëm dhe ka potencial të bëhet anëtari i 28-të i BE-së.
Deputetët evropianë inkurajuan për vazhdimin e reformave, veçanërisht në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me synimin për përmbylljen e negociatave në vitin 2026 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2028.
Takimi i radhës i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi do të mbahet në Parlamentin Evropian, ndërsa data do të caktohet më vonë.
                









