Forumi Shqiptar informoi opinionin se arsyet e largimit nga seanca e sotme e Qeverisë pas vendimit për miratimin e kërkesës për ndërtimin e monumentit të Mitropolitit Amfillohije ishin formale dhe thelbësore.
Siç thanë ata, formal sepse “materiali i dorëzuar për shqyrtim në Qeveri është i paplotë dhe i parregullt” dhe siç pretendojnë ata, nuk përmban atë që është e parashkruar që duhet të përmbajë dokumenti në shqyrtim nga Qeveria.
Ata thonë se nuk ka asnjë dokument për anulimin e vendimit të përmendur, e as në komisione nuk është diskutuar për materialin e ri…
“Në thelb: Amfillohije Radoviq përhapi urrejtje duke i quajtur me emra nënçmues dhe fyes shqiptarët, boshnjakët dhe myslimanët, si dhe malazezët, të cilët nuk i njihte si komb. Ai shprehte dhe përhapte urrejtje ndaj Perëndimit dhe shteteve e shoqërive demokratike dhe ndaj fqinjëve tanë, si dhe përkrahte shtetet dhe regjimet më të prapambetura dhe retrograde. Ai është shprehur negativisht jo vetëm për pakicat kombëtare, por edhe për të gjitha pakicat e tjera. Ai vlerësoi kriminelët e dënuar të luftës dhe minimizoi krimet e tyre”, theksuan nga Forumi Shqiptar.
Ata thonë se jo pa arsye në çdo shoqëri demokratike duhet kohë për t’i ngritur një monument kujtdo sepse, siç shtojnë ata, puna e secilit vlerësohet si duhet vetëm me distancë historike.
“Prandaj, ka mjaft arsye formale dhe thelbësore që akti të mos shqyrtohet në seancën e Qeverisë. Gjithashtu, propozimi bie ndesh me marrëveshjen që kemi nënshkruar se do të kemi koordinim për çdo çështje që na ndan me synimin për të arritur një marrëveshje. Kur rregulloret, marrëveshjet, zakonet dhe traditat dhe marrëdhëniet aktuale brenda koalicionit qeverisës u injoruan për arsye të politikës ditore, nuk mbeti gjë tjetër veçse të largohemi nga seanca e sotme e Qeverisë dhe nuk do të jetë i vetmi vendim”, thonë nga Forumi Shqiptar.
Të rikujtojmë se, në seancën e sotme të Qeverisë është miratuar propozimi i ministres së Kulturës dhe Mediave, Tamara Vujoviq dhe është marrë vendim që të jepet pëlqimi për ndërtimin e monumentit të Mitropolitit të Malit të Zi Amfillohije Radoviq në Berane.
Ministrat shqiptar dhe boshnjak e braktisën seancën e Qeverisë.