NË SHQIPËRI SOT NISI SHPËRNDARJA E LIBRAVE FALAS

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini njoftoi se nis shpërndarja e librave falas për nxënësit nga klasa 1-5.

Teksa vitin e kaluar rreth 125 mijë nxënës nga klasat e para deri në klasat e katërta kanë përfituar libra falas, për vitin e ri shkollor 2019-2020 numri i përfituesve është rritur në 155 mijë, pasi kësaj skeme i janë shtuar edhe nxënësit e klasave të pesta.

Shpërndarja e librave ka filluar sot dhe mbyllet disa ditë para fillimit të shkollës.

“Duke nisur nga sot nxënësit mund të shkojnë pranë shkollave të tyre të marrin pakot me libra falas. Kjo nisëm e filluar vjet me një shumë prej 600 milionë lekësh ofron libra falas për nxënësit e klasave I-IV, nxënësit me aftësi të veçanta dhe minoritarët”, shprehet ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini.

“Sivjet pasi këto libra falas janë mirëmbajtur shumë mirë kemi përfshirë dhe klasën e V në nismën e librave falas”, tha Shahini.

Vetëm tekstet e klasës së parë do të jenë krejtësisht të reja, ndërsa klasat e tjera do të marrin tekstet e përdorura një vit më parë.

Nga eksperienca e këtij viti duket se rikthimi i librave në bibliotekat e shkollave për ripërdorim ka rezultuar efektiv për 80% të teksteve.

Ndërsa pjesa tjetër e dëmtuar që nuk munden të përdoren, përmes një buxheti të posaçëm janë blerë nga MASR dhe do të shpërndahen nëpër shkolla.

Në këtë shtator për nxënësit do të ketë mbi 90 shkolla të reja dhe të rikonstruktuara me terrene sportive, ku shumë prej tyre do të hapin dyert për të pritur fëmijët më 17 shtator.

SHARE