MIELLI MË I SHTRENJTË ME 15 PËR QIND DHE VAJI RRETH 25 PËR QIND

Çmimet e miellit në shumicën e dyqaneve malazeze do të rriten me rreth 15 për qind në ditët në vijim, ndërsa Serbia javën e ardhshme pritet të lejojë eksportin e vajit të lulediellit ushqimor, por me çmime më të larta, kështu që edhe ky ushqim bazë do të rritet me çmim 20 deri në 25 për qind, mëson “Vijesti”.

Rregullorja që kufizon marzhet e tregtimit për artikujt ushqimorë bazë si mielli, vaji, sheqeri dhe kripa skadoi më 30 qershor, por shumica e tregtarëve nuk i rritën marzhet dhe çmimet atëherë, por po e bëjnë tani. Sipas rregullores, marzhet për këto katër artikuj ishin të kufizuar në pesë për qind për tregtinë me shumicë dhe deri në shtatë për qind në tregtinë me pakicë.

Tregtarët tani po i kthejnë marzhet, kështu që ato do të arrijnë të paktën 10 për qind për shitjen me shumicë dhe 15 për qind për shitjen me pakicë.

Kjo duhet të ndikojë në mënyrë kumulative në rritjen përfundimtare të çmimeve me pakicë me rreth 15 për qind.

Prodhuesit e vajit në Serbi njoftuan tregtarët malazezë se ndalimi i eksportit të vajit do të përfundojë në fund të javës së ardhshme, por se më pas çmimet e blerjes do të jenë më të larta për rreth 20 për qind.

Për shkak të përfundimit të kufizimeve në marzhet tregtare, tashmë tregtarët kanë rritur pjesërisht çmimet e sheqerit dhe kripës me rreth 10 për qind.

Burimi i “Vijesti” tha se nuk pritet rritje e mëtejshme e çmimeve të këtyre dy produkteve.  

SHARE