KOSOVA E SERBIA PËRBALLEN NË BRUKSEL

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë Serbi është takuar me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Fillimisht Lajçak ka zhvilluar takim bilateral me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviç.

Pas mesditës ka nisur pastaj takimin bilateral me kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi.

Temë e takimeve ishte zbatimi i marrëveshjes së Brukselit si dhe hapat për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Marrëveshja për çtensionimin e situatës në veri u arrit më 10 Korrik në Bratislavë të Sllovaksië, në takimin që kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi zhvilloi me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Janë katër hapa që për dy javë duhet të përfundojnë mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për çtensionimin e situatës në veri të vendit.

Pika e parë dhe pika e dytë kanë filluar të zbatohen javën e kaluar, ajo e zvogëlimit të pranisë policore për 25 përqind në dhe rreth ndërtesave komunale dhe ajo ku Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.

SHARE