Ambasadorja në largim e Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann, ka marrë pjesë në Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian. Gjatë fjalës së saj, Hohman ka thënë se niveli i fuqisë ekonomike të Shqipërisë nuk është në mesataren e Bashkimit Evropian.
Hohman shtoi se është propozuar një paketë mbështetje për të asistuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar zhvillimet ekonomike. Por për ta bërë këtë, Hohman tha se duhet që Shqipëria të plotësojë disa kushte.
“Zhvillimi ekonomik, është e qartë dhe nuk ka nevojë për master për të kuptuar se niveli i fuqisë ekonomike të Shqipërisë nuk është në mesataren e BE-së. Kryetarja e Komisionit Evropian, bëri një propozim një paketë rritjeje për të asistuar, ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar zhvillimet ekonomike. Kjo është një pikë ku duhet t’i japim shtytje. Por kjo nuk vjen vetvetiu. Kjo mbështetje lidhet me kushtet sepse nëse ti do të marrësh fondet e BE-së, duhet të plotësosh disa kushte. Ky është një propozim që po zhvillohet me anëtarët e shteteve. Paketa përfundimtare nuk është akoma, por është një objekti i Komisionit Evropian që ta japë dhe të sigurohet që të krijohen dhe kushtet për të krijuar arsye për njerëzit që të thonë se dua të rri këtu dhe të nxjerr jetetën time këtu për të garantuar se i kemi njerëzit në Shqipëri,” tha Hohmann.
Gjatë fjalës së saj, Hohmann theksoi se Bashkimi Evropian është në krah të Shqipërisë dhe ka besimin që vendi ynë mund të ja dalë në përmbushjen e detyrave për anëtarësim në BE.
“Ne e çmojmë shumë atë që bën Shqipëria edhe pse nuk është anëtare e përhershme. Është një nga vendet në rajon që aplikoi sanksionet ndaj Rusisë si pasojë e luftës në Ukrainë. Ne jemi në rrugën e duhur për ta mbushur gotën, por duhet të bëjmë punë. Ju nuk jeni vetëm. Keni të tjerë krah jush që ecin krah jush në këtë rrugë dhe besimin e keni. BE e ka besimin që ju mund të ja dilni. Shqipëria i ka kapacitetet për ta bërë këtë me kusht që të ketë vullnet politik për të çuar përpara reformat. Shpresoj që herë tjetër kur të vij, të shoh që Shqipëria ka ecur përpara. Ju premtoj se unë do të kthehem,” theksoi Hohmann.