SHBA-ja DHE KE-ja PËRSHËNDESIN ÇELJEN E NEGOCIATAVE ME SHQIPËRINË DHE MAQEDONINË E VERIUT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka lëshuar një deklaratë ku mirëpret hapat e rëndësishëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, Biden ka theksuar se “në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe.” “Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratë. Ai ka shtuar se hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së për të rritur angazhimin për forcimin e demokracive të rajonit. Po ashtu, Komisioni Europian ka përshëndetur sot çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Duke e konsideruar si një moment historik vendimin e sotëm, përmes një postimi në rrjetet sociale, Komisioni Europian shkruan se ai vjen si rezultat i reformave të ndërmarra nga dy shtetet.

SHARE