MARRËVESHJA THEMELORE TË KONTROLLOHET EDHE NJË HERË NGA EKSPERTË JURIDIKË

Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq dhe kryeministri Dritan Abazoviq kanë pasur sot konsultime për tejkalimin e problemeve në funksionimin e pushtetit ekzekutiv të shkaktuar nga miratimi i Marrëveshjes për çështje me interes të përbashkët të Qeverisë së Malit të Zi dhe KOS-it, thuhet në një deklaratë të përbashkët. Bashkëbiseduesit vlerësuan se është në interes të Malit të Zi dhe të ardhmes së tij evropiane ruajtja e stabilitetit politik dhe përmirësimi i funksionalitetit të institucioneve të sistemit, në mënyrë që vendi kandidat për anëtarësim në BE, në kohën më të shkurtër të mundshme, të përmbushë detyrimet prioritare nga agjenda evropiane. Në këtë kontekst, u konsiderua e dobishme që teksti i Marrëveshjes t’i prezantohet edhe një herë publikut profesional dhe shkencor të Malit të Zi (përfaqësuesve të Universitetit dhe shoqërisë civile me kompetenca në çështjet ligjore) përpara se të vazhdohet me procedurat e mëtejshme në lidhje me Marrëveshjen, dhe të sigurojë verifikim shtesë të përputhshmërisë së versionit aktual të Marrëveshjes me sistemin kushtetues-juridik të Malit të Zi dhe në këtë mënyrë të largojë të gjitha dyshimet që kanë lindur në këtë temë. Ndërkohë, fokusi politik duhet të drejtohet në dialogun e të gjitha partive parlamentare për sigurimin e konsensusit të nevojshëm për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe fillimin e procedurave për zgjedhjen e PLSH-së. Është një vlerësim i përbashkët se kjo do të tregonte qëndrimin e përgjegjshëm të shtetit ndaj inkurajimit të institucioneve të BE-së për të krijuar kushte për përshpejtimin e procesit të përgjithshëm të negociatave duke përmbushur efektivisht standardet e mbetura të përkohshme për sundimin e ligjit. Ky do të ishte kontributi më i mirë për stabilitetin dhe prosperitetin e përgjithshëm të shtetit dhe shoqërisë malazeze, u vlerësua në takim. Presidenti dhe Kryeministri ranë dakord që pavarësisht dallimeve politike apo të tjera që ekzistojnë në shoqërinë tonë, zgjidhja duhet kërkuar gjithmonë në dialog brenda institucioneve të sistemit. Gjithashtu, Gjukanoviq dhe Abazoviq dënuan çdo formë të gjuhës së urrejtjes apo dhunës, duke theksuar se harmonia ndëretnike dhe ndërfetare është kapitali më i madh shoqëror i Malit të Zi dhe diçka për të cilën vendi ynë njihet në mbarë rajonin dhe Evropën.

SHARE