GJATË MANDATIT TË KËSAJ QEVERIE JANË SHLYER 1.5 MILIARDË EURO BORXHE TË VJETRA

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i financave Novica Vukoviq njoftoi se që nga dhjetori i vitit 2020 deri më sot janë kthyer mbi 2.7 miliardë euro borxhe të vjetra, prej të cilave 1.5 miliardë janë kthyer gjatë mandatit të qeverisë aktuale.

Borxhet më të mëdha janë marrë para vitit 2020, sidomos në vitin 2014 për ndërtimin e autostradës Tivar–Bolare dhe marrëveshjet e kredisë me Bankën Botërore në vitet 2018 dhe 2020.

Vukoviq theksoi se borxhi publik është rritur nga 45.5% e BPV-së në vitin 2011 në 105.3% në vitin 2020.

Një nga masat e para të qeverisë ka qenë rritja e pensionit minimal mbi 50%, nga nën 300 në 450 euro, duke përfshirë rreth 74 mijë pensionistë.

Pensioni mesatar në shkurt ishte 537 euro, që është rritje mbi 26% në pak më shumë se një vit.

Gjithashtu, paga mesatare është rritur nga 484 në mbi 1000 euro që nga viti 2020.

Ministri përmendi edhe efektet e Ligjit për faljen e kamatave mbi borxhet tatimore, ku deri në fillim të marsit janë dorëzuar 1,910 kërkesa dhe janë falur kamata në vlerë prej 11.79 milionë eurosh.

SHARE