Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha se masat si heqja e shtetësisë apo dëbimi, në rastin e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë që jetojnë në Kosovë, është dashur të jenë masat e fundit dhe të ndërmerren vetëm pas një procesi ligjor.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së tha gjithashtu se masat për heqje të shtetësisë apo dëbimit duhet të jenë në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në veçanti me kërkesën që është në nenin 8, i cili kërkon një vlerësim individual të bazuar në dëshmi, i cili balancon sigurinë kombëtare me jetën private dhe familjare të personit.
“Po i ndjekim me kujdes arrestimet dhe dëbimet. I kemi kërkuar autoriteteve të Kosovës të sigurojnë një proces të drejtë, të respektojnë standardet e të drejtave themelore dhe të garantojnë mjete juridike për personat e prekur”, u tha në përgjigjen e dërguar nga BE-ja.
Autoritetet e Kosovës, që nga 15 qershori, kanë dëbuar pesë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët jetonin në Kosovë, me arsyetimin se “përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare”.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, më herët ka bërë të ditur se vendimin për heqjen e shtetësisë e ka marrë mbi bazën e Ligjit për shtetësinë, akteve nënligjore dhe rekomandimeve të institucioneve përkatëse.
Nga Ambasada gjermane në Kosovë, më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë po ashtu se vendimet e ndjeshme, siç janë heqja e shtetësisë dhe dëbimi, duhet të merren në përputhje me të gjitha dispozitat ligjore, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Nga kjo ambasadë kanë thënë se personave të prekur duhet t’u sigurohet qasje e plotë në këshillim juridik dhe mundësi për ankimim ligjor.
Edhe nga Ambasada e Italisë në Kosovë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se po e ndjek me kujdes situatën rreth dëbimit të pjesëtarëve serbë të policisë, por edhe arrestimin e ish-policit kosovar, Arbnor Spahiu, në Serbi.
“Thirrja jonë për të dyja palët është që të veprojnë duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të tensioneve”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Ambasada Italiane në Kosovë.