DUKAJ: PO VENDOSIM THEMELET E STANDARDEVE TË AVANCUARA PËR SIGURINË KIBERNETIKE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministria e Administratës Publike luan një rol kyç në miratimin e standardeve të avancuara në fushën e sigurisë kibernetike, përmes forcimit të kapaciteteve të saj dhe bashkëpunimit me aleatët, ka deklaruar ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.

Ai theksoi se përmes shkëmbimit të njohurive dhe zbatimit të praktikave të mira, përmirësohen kompetencat dhe rritet niveli i sigurisë kibernetike në të gjithë rajonin.

Dukaj hapi dialogun e parë dyditor rajonal për ndërtimin e kapaciteteve kibernetike në Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga Qendra për Kapacitete Kibernetike e Ballkanit Perëndimor (WB3C) në bashkëpunim me Forumin Ekonomik Botëror (WEF).

Sipas njoftimit nga Ministria, në fjalën e tij përshëndetëse, Dukaj u shpreh mirënjohës ndaj organizatorëve, duke theksuar se ky dhe takime të ngjashme janë mundësi për të qëndruar konkurrues në njohuritë dhe aftësitë në fushën e sigurisë kibernetike.

“Ministria e Administratës Publike luan një rol kyç në miratimin e standardeve të avancuara në fushën e sigurisë kibernetike, përmes forcimit të kapaciteteve të veta dhe bashkëpunimit me aleatët. Që nga sulmet kibernetike në vitin 2022, kur ishim krejtësisht të papërgatitur, kemi arritur ta çojmë Malin e Zi në një nivel shumë më të lartë të sigurisë kibernetike”, theksoi Dukaj.

Ai vuri në dukje se kërcënimet kibernetike po bëhen gjithnjë e më komplekse dhe se inteligjenca artificiale po ndikon me shpejtësi në fushën e sigurisë kibernetike, prandaj kjo sfidë duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse – si për Malin e Zi, ashtu edhe për të gjithë aleatët.

“Presim me padurim vendimin sa më të shpejtë të Qeverisë për caktimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë për Siguri Kibernetike, e cila, së bashku me CIRT-in qeveritar, do të ketë një rol kyç në ekosistemin kombëtar të sigurisë kibernetike. Ministria e Administratës Publike tashmë ka krijuar të gjitha parakushtet për formimin e kësaj agjencie”, tha Dukaj.

Ai theksoi se përpara qëndrojnë shumë detyra, veçanërisht zbatimi i Ligjit për sigurinë e informacionit dhe angazhimet që rrjedhin nga Plani i Rritjes.

Dukaj rikujtoi gjithashtu kontributin e Ministrisë së tij në sigurimin e fondeve nga Plani i Rritjes përmes përmbushjes së disa treguesve, duke theksuar se po punohet për përmbushjen e treguesve të rinj brenda afateve të përcaktuara.

„Vizioni ynë është i qartë – po ndërtojmë një botë digjitale më të sigurt për të gjithë ne. Përmes shkëmbimit të njohurive dhe zbatimit të praktikave të mira, ne përmirësojmë kompetencat, rrisim sigurinë kibernetike të gjithë Rajonit, sepse sulmet kibernetike nuk njohin kufij,” theksoi Dukaj.

SHARE