DËSHTON EDHE PËRPJEKJA E 18-të PËR KONSTITUIM TË KUVENDIT TË KOSOVËS

Foto: Erkin Keçi/AA

Kuvendi i Kosovës ka shënuar edhe një seancë të dështuar për konstituim, për të 18-tën herë me radhë, raporton Anadolu.

Seanca nisi me votimin për krijimin e një Komisioni “ad-hoc” për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, por shumica e partive kundërshtuan duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.

Nga deputetët e pranishëm në sallë vetëm 52 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër dhe nuk pati abstenime.

“Shihemi më 21 maj në orën 11:00”, tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Pas seancës, kreu i partisë së dytë më të madhe, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, u kërkoi falje qytetarëve për zgjatjen e kësaj situate, derisa propozoi që seanca të mbahen çdo ditë, në mënyrë që t’i bëhet presion njëri-tjetrit për të shkuar drejt zgjidhjes sa më parë.

Krasniqi ripërsëriti thirrjen e tij që Lëvizja Vetëvendosje ta ndryshojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare u takuan me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Por, krerët e partive politike, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, thanë se nuk pati ndonjë përparim, megjithëse takimin e panë si të nevojshëm.

Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe gjatë kësaj jave.

SHARE