SCHOLZ: PRANIMI I SHPEJTË I UKRAINËS NË BE DO TË ISHTE I PADREJTË PËR BALLKANIN

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, nuk mund të përshpejtohen, pavarësisht pushtimit të Rusisë. “Nuk ka rrugë të shkurtra për në BE”, tha Scholz para Budestagut gjerman më 19 maj, duke shtuar se nëse do të bëhej një përjashtim i tillë për Ukrainën, do të ishte e padrejtë për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat po ashtu aspirojnë anëtarësimin në bllok. “Procesi i pranimit nuk është çështje e muajve apo viteve”, tha Scholz. Scholz tha se ka mënyra të tjera për të ndihmuar Ukrainën në terma afatshkurtër, duke shtuar se prioritet duhet të jetë “përqendrimi në mbështetjen e shpejtë dhe pragmatike të Ukrainës”. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po ashtu ka thënë se do të duhen “dekada” për një kandidat, si Ukraina, që t’i bashkohet BE-së, duke sugjeruar krijimin e një organizate të re politike, ku do të mund të përfshiheshin shtetet joanëtare të bllokut, përfshirë edhe Britaninë. Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, reagoi pas deklaratës së Scholzit. “Paqartësitë strategjike mbi perspektivën evropiane të Ukrainës, që po praktikohen që disa vjet nga disa kryeqytete të BE-së kanë dështuar, dhe këto praktika duhet të marrin fund”, tha ai përmes Twitterit.

SHARE