RRITET NË 436 NUMRI I PALESTINEZËVE TË VRARË NË SULMET IZRAELITE QË NGA DJE NË GAZA

Foto: AA

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i personave të vrarë në sulmet izraelite që nga dje është rritur në 436 ndërsa numri i të plagosurve në 678, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë në llogarinë e saj në rrjetet sociale, Ministria dha informacione për humbjet e jetëve dhe të plagosurit në sulmet që Izraeli nisi dje në mëngjes në Rripin e Gazës duke prishur armëpushimin.

Numri i personave që humbën jetën në sulmet e kryera nga Izraeli që prej ditës së djeshme është rritur në 436 ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 678.

Numri i palestinezëve që humbën jetën në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani ka arritur në 49.547 ndërsa numri i të plagosurve në 112.719.

Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme dje në mëngjes pas armëpushimit që hyri në fuqi në Rripin e Gazës më 19 janar. Në sulmet ajrore që ushtria izraelite kreu në Rripin e Gazës mëngjesin e 18 marsit, humbën jetën të paktën 400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa u plagosën mbi 500 të tjerë.

SHARE