NJË SHANS I RI PËR REFORMËN ZGJEDHORE

Foto: Reuters

Është e rëndësishme që reforma zgjedhore të zbatohet deri në fund të vitit 2025, thuhet në një marrëveshje të fundit mes kryeministrit dhe opozitës, e cila u mbështet nga Bashkimi Evropian (BE).  

Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Mal të Zi njoftoi se teksti i kërkesës drejtuar Komisionit të Venecias do të përgatitet nga një përfaqësues nga qeveria dhe opozita, pas konsultimeve.

“Kërkesa e dakorduar do t’i dorëzohet Komisionit të Venecias nga Kryeministri i Malit të Zi. Palët bien dakord të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm drejt zbatimit të plotë të opinionit të Komisionit të Venecias sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se 15 ditë pas dorëzimit të tij. Deri në dorëzimin e opinionit të Komisionit të Venecias, do të pezullohet procedura e mëtejshme për zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese sipas njoftimit për konkurs të publikuar nga Komisioni Kushtetues i Parlamentit të Malit të Zi më 23.12.2024“, thuhet në deklaratën e Delegacionit.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, siç thuhet në deklaratë, palët angazhohen për normalizimin e situatës politike dhe rikthimin e funksionalitetit të Kuvendit.

“Palët angazhohen të mbështesin reformat e BE-së dhe iniciativat legjislative të përgatitura në konsultim me institucionet e BE-së, me qëllim të përfundimit të negociatave të pranimit në BE deri në fund të vitit 2026. Partitë angazhohen gjithashtu për vazhdimin e punës së Komisionit Parlamentar për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore, me qëllim që të përfundojë procesi i reformës zgjedhore më së voni deri në fund të vitit 2025”, njoftoi ndër të tjera Delegacioni i BE-së.

SHARE