Foto: predsjednik.me
Mali i Zi është pjesë e një nisme globale për forcimin e bizneseve të grave me qëllim të rritjes së konkurrueshmërisë së të gjithë ekonomisë, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
“Ne jetojmë dhe punojmë në një shoqëri ku roli i gruas ende perceptohet përmes stereotipeve të bazuara në gjini, ku vlerësohet ajo që është dhe nuk është punë për gratë, nëse një grua duhet të fillojë biznesin e saj dhe si do të ndikojë në detyrimet e saj në fusha të tjera, kryesisht në shtëpi dhe familje. Modelet tona kulturore dhe zakonet i vendosin gratë në një pozicion që, ndër breza, të heqin dorë nga të drejtat e tyre të trashëgimisë në favor të anëtarëve meshkuj të familjes. E gjithë kjo çon që gratë, të mos kenë pasuri të paluajtshme për të lënë peng si kolateral, të bëhen kandidate joadekuate për marrjen e kredive apo fillimin e bizneseve të tyre”, tha Millatoviq, sipas deklaratës.
Ai theksoi se pikërisht në këtë sferë gjen vendin iniciativa e Kodit Financiar të Grave Sipërmarrëse (WE), e cila synon të përmirësojë financimin e sipërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të drejtuara apo në pronësi të grave.
“Unë e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme përdorimin e të dhënave të disponueshme, të klasifikuara sipas strukturës gjinore, për të treguar gjendjen aktuale të çekuilibrit gjinor dhe më pas për të ndikuar tek ofruesit e shërbimeve financiare për të përmirësuar aksesin dhe për të krijuar produkte të reja. Prandaj më gezon veçanarisht fakti që i gjithë ekosistemi ekonomik në vend, institucione të shumta të drejtuara nga Banka Qendrore e Malit të Zi, bankat komerciale, si dhe shoqatat e biznesit, e kanë pranuar këtë nismë dhe do të marrin pjesë në zbatimin e saj. Jam i sigurt se kjo do të sjellë një frymë të re në segmentin e mikro, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të ekonomisë sonë dhe se kështu do t’i japim vrull ekonomisë sonë”, tha presidenti i Malit të Zi.