Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj, duke komentuar faktin se Shoqata e Tregtarëve të Vegjël nga Budva po bën thirrje që e diela të jetë ditë pune, theksoi se të gjithë ata që duan të punojnë duhet lejuar.
“Unë ende mendoj se një zgjidhje e mirë është që secili të punojë sa të dojë, duke respektuar të drejtat e punëtorëve. Mendoj se kushdo që punon të dielave duhet të paguhet shtesë, por të gjitha në përputhje me ligjin”, tha ai duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Të vazhdohen bisedimet mes Qeverisë dhe Komunës së Ulqinit
Duke folur për qiratë e plazheve, Gjeloshaj shprehet se beson se duhet respektuar vendimi i mazhorancës.
“Unë mendoj se kjo duhet të trajtohet ndryshe, sidomos me kryetarin e komunës së Ulqinit. Unë ende besoj se ky tender është shpallur vetëm për shkak të Ulqinit. Mendimi im është që Qeveria së bashku duhet të bëjë një kompromis. Qëndrimi im politik është që të gjitha juridiksionet e Të Mirave Detare t’i kthehen komunës”, tha ai.
I pyetur për të komentuar deklaratën e kryetarit të komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu se do t’u bëjë thirrje partive shqiptare që të largohen nga Qeveria nëse nuk anulohet tenderi, Gjeloshaj tha se në lidhje me këtë nuk kanë biseduar në mbledhjet që janë mbajtur.
“Bëj thirrje që bisedimet e filluara ndërmjet komunës së Ulqinit dhe Qeverisë të vazhdojnë për të arritur një zgjidhje”, tha Gjeloshaj.