FILLUAN EKZAMINIMET SISTEMATIKE TË DETYRUESHME TË FËMIJËVE PËR REGJISTRIMIN NË KLASËN E PARË

Foto: Qendra Shëndetësore e Kryeqytetit

Qendra Shëndetësore e Kryeqytetit ka njoftuar se ka filluar kryerjen e ekzaminimeve të detyrueshme sistematike të fëmijëve për regjistrimin në klasën e parë të shkollës fillore për vitin shkollor 2026/2027.

“Ekzaminimet janë të detyrueshme për të gjithë fëmijët e lindur në vitin 2020, si dhe për ata të lindur në vitin 2019, të cilëve u është shtyrë regjistrimi vitin e kaluar,” njoftojnë nga Qendra Shëndetësore.

Kontrolli bëhet tek pediatri i zgjedhur, në termin e caktuar paraprakisht.

“U lutemi të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të caktojnë në kohë ekzaminimet sistematike për fëmijët e tyre dhe t’i rezervojnë ato tek pediatri i zgjedhur. Ekzaminimet mund të caktohen përmes Call Center-it ose duke shkuar drejtpërdrejt në Qendrën Shëndetësore. Në të njëjtën ditë, fëmijët do të marrin edhe vaksinën që u takon sipas kalendarit të imunizimit të detyrueshëm,” njoftojnë nga Qendra Shëndetësore.

Ekzaminimi sistematik përfshin matjet bazë antropometrike, dmth matjen e peshës dhe lartësisë trupore dhe regjistrimin e të dhënave të marra në kartelat e rritjes, për të vlerësuar nëse fëmija devijon nga pesha dhe lartësia e pritshme për moshën dhe gjininë e tij.

“Kryhet ekzaminimi i plotë i fëmijës për të gjithë sistemet organike, vlerësohet gjendja e shikimit, dëgjimit dhe të folurit, pjekuria emocionale dhe njohëse e fëmijës, si dhe grafomotorika. Nëse pas ekzaminimit vlerësohet se ka nevojë për konsultë shtesë, fëmija dërgohet për ekzaminime të tjera specialistike dhe subspecialistike,” thuhet në njoftim.

SHARE