PARLAMENTI EVROPIAN I KËRKON BASHKIMIT EVROPIAN HEQJEN E MASAVE PËR KOSOVËN

Foto: AA

Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, transmeton Anadolu.

Në draft-raportin e parlamentit është shkruar se këto masa nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane.

“Ftojmë për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe përshtatjen me politikat e BE-së”, thuhet aty.

Në draft-raport vlerësohet përkushtimi i Kosovës për integrim në BE, nënvizohet se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe përpjekjet për ta nxjerrë Kosovën nga një zonë gri janë në interes edhe të Kosovës edhe të BE-së. Në këtë draft-raport mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE dhe ftohen vendet anëtare të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë pa vonesa shtesë.

Gjithashtu, aty mbështetet kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe plani për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s, derisa mbështetet po ashtu edhe procesi i dialogut Kosovë-Serbi.

Në raport nënvizohet edhe shqetësimi për situatën e sigurisë në vend. Dënohen sulmet në Banjskë dhe Ibër Lepenc dhe kërkohet që autorët e të gjitha këtyre veprave të dhunshme të nxirren para drejtësisë. Në veçanti shprehet keqardhje pse Serbia nuk ka nxjerr para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë, përfshirë udhëheqësin e grupit, Milan Radoiçiq.

Autor i këtij draft-raporti është Riho Terras, raportues për Kosovën në PE. Dokumenti do të prezantohet në komitetin për politikë të jashtme të parlamentit, të enjten, më 20 shkurt. Pas amenadamentimit të draftit, i njëjti duhet të miratohet në këtë komitet ndërsa në fillim të verës votohet në seancë plenare, kur merr versionin e Rezolutës së PE-së.

Në korrik të vitit 2023, pas tensioneve në veri me fillimin e punës së kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore me shumicë serbe, BE-ja konfirmoi masat ndëshkuese ndaj Kosovës si pasojë e mosndërmarrjes së veprimeve për deeskalimin e situatës nga pala kosovare.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të tjera.

SHARE