NDALOHET PËRDORIMI I TELEFONIT GJATË MËSIMIT NË TË GJITHA SHKOLLAT NË MAL TË ZI

Foto: Shutterstock

Bordet shkollore të shkollave fillore dhe të mesme në Mal të Zi kanë marrë vendim për ndalimin e përdorimit të celularëve gjatë mësimit, njoftoi Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit.

Theksohet se kjo është vendosur me iniciativë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit dhe se përdorimi i telefonit lejohet në rastet kur përgatitja ditore parasheh që mësimdhënësi lëndor ta përdorë telefonin si mjet mësimor për realizimin e njësive të caktuara mësimore.

“Vendimi parashikon edhe rrethana të veçanta (emergjente, arsye shëndetësore) në të cilat nxënësit, me miratimin e mësimdhënësit lëndor ose të administratës së shkollës, mund të përdorin celularin”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit.

Ata thanë se në ditët në vijim në bashkëpunim me shkollat ​​do të krijojnë parakushtet e nevojshme për zbatimin e plotë të vendimit të miratuar.

“Praktika krahasuese në një sërë vendesh ka treguar se eliminimi i celularëve në shkolla gjeneron efekte pozitive në rezultatet që arrijnë nxënësit në procesin arsimor”, theksoi Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit.

Ministria rikujtoi se në Mal të Zi ka shkolla që tashmë kanë miratuar rregullore që ndalojnë përdorimin e celularëve gjatë mësimit.

„Dhe efektet pozitive të këtij vendimi janë konfirmuar edhe nga mësimdhënësit dhe prindërit, por edhe nga vetë nxënësit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

SHARE