KOSOVË, NUMËROHEN 78% E VOTAVE / PROCESI I NUMËRIMIT ËSHTË KRYER NË 1.970 VENDVOTIME

Foto: Bota Sot

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të martën se janë numëruar 78% e votave për kandidatët për deputetë, apo 1,970 vendvotime nga 2533 sa janë gjithsej.

Ky proces pritet të përmbyllet brenda pak ditësh bëhet e ditur nga ky institucion.

Besoj që ky proces do të përmbyllet brenda pak ditësh, sepse në bazë të këtyre shifrave të fundit do të thotë se numri i vendvotimeve që janë numëruar deri më tani si dhe verifikimi që është bërë deri më tani, bëhet fjalë për rreth 2 mijë vendvotime.

Po ashtu, KQZ ka vazhduar me verifikimin e votave me postë të ardhura nga diaspora.

Deri më 18 shkurt, janë verifikuar 28 mijë e 99 pako, prej të cilave janë aprovuar 26 mijë e 13 dhe janë refuzuar 2 mijë e 57.

Arsyeja pse janë refuzuar këto dërgesa postare është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës, u mungonte fleta e regjistrimit apo janë dërguar më shumë se një herë.

Gjatë votimit përmes postës, KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë 12,801 vota me kusht dhe 2,597 vota nga personat me nevoja të veçanta, për të cilat pritet të bëhet verifikimi e që mund të numërohen pasi të përfundojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

SHARE