Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike dhe tregtare, të cilat janë forcuar dhe thelluar më tej me nënshkrimin e një memorandumi të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet qeverive të dy vendeve.
Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj, gjatë një takimi me ambasadoren amerikane në Mal të Zi, Judy Rising Reinke.
“Memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik konkretizon partneritetin dhe bashkëpunimin tonë të jashtëzakonshëm dhe shekullor në fushat e zhvillimit ekonomik, infrastrukturës, investimeve, inovacionit dhe sipërmarrjes”, theksoi Gjeloshaj.
Ai shtoi se, “si rezultat i efikasitetit dhe suksesit” të atij dokumenti, pak ditë më parë, “një numër rekord i kompanive amerikane” vizituan Malin e Zi si pjesë e Shoqatës Amerikane të Biznesit të Evropës Qendrore (ACEBA).
“Jemi shumë të kënaqur me interesimin e kompanive më prestigjioze amerikane për bashkëpunim dhe investim në Mal të Zi, gjë që na inkurajon të vazhdojmë punën tonë të përkushtuar, së bashku me partnerët tanë amerikanë, evropianë dhe perëndimorë, për të arritur prosperitet dhe përparim ekonomik në Mal të Zi”, tha Gjeloshaj.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik njoftoi se ambasadorja Reising Reinke falënderoi Gjeloshajn për “mikpritjen e madhe dhe të ngrohtë për kompanitë amerikane” dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.