GJELOSHAJ: QEVERIA PLANIFIKON TË RIKTHEJË TË DIELËN DITË PUNE GJATË SEZONIT TURISTIK

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka përgatitur ndryshime në Ligjin për tregtinë e brendshme, me të cilat planifikohet të rifutet dita e diel, ditë pune nëpër dyqane.

Këtë e konfirmoi Ministria e Zhvillimit Ekonomik e drejtuar nga ministri Nik Gjeloshaj.

Tregtia me shumicë dhe pakicë do të mund të kryhet të dielave në periudhën nga 1 qershori deri më 31 gusht dhe nga 1 dhjetori deri më 31 janar nga ora 07:00 deri në ora 15:00 ose nga ora 15:00 deri në ora 23:00, ndësa në objektet e shitjes të vendosura brenda qendrave tregtare nga ora 10:00 deri në orën 18:00.

“Tregtarët do të mund të kryejnë tregti me shumicë dhe/ose pakicë vetëm në një objekt shitjeje në territorin e një njësie të caktuar të vetëqeverisjes lokale. Ata gjithashtu do të jenë të obliguar të informojnë organin kompetent inspektues në cilin objekt do të bëjnë tregti, si dhe në cilën orë, jo më vonë se 15 ditë para fillimit të tregtisë. Gjithashtu parashikohet mundësia që tregtari, në rast të rrethanave të jashtëzakonshme që shkaktojnë drejtpërdrejt pamundësinë e tregtimit në objektin që ishte caktuar fillimisht, mund ta ndërrojnë atë objekt shitës, për të cilin janë të detyruar të njoftojnë organin kompetent inspektues pa vonesë dhe jo më vonë se tri ditë pas shfaqjes së rrethanave të lartpërmendura”, thuhet në Projektligj.

Me qëllim të mbrojtjes së mëtejshme të të drejtave të punonjësve, është futur detyrimi i tregtarit për t’i mundësuar punëmarrësit që punon të dielave, në përputhje me përjashtimet nga neni 35a dhe ky nen, që të shtunën e parë pasuese ta shfrytëzojë si ditë pushimi.

SHARE