Drejtoresha e ReSPA-s Maja Handjiska-Trendafilova priti sot në takim ministrin e Administratës Publike Marash Dukaj me bashkëpuntorë.
Drejtoresha theksoi bashkëpunimin e frytshëm mes këtyre dy institucioneve, veçanërisht në fushën e digjitalizimit, ofrimit të shërbimeve, integrimeve evropiane dhe menaxhimit të cilësisë – zbatimit të modelit CAF.
“Plani dinamik i punës i këtij viti në fushën e ndërveprueshmërisë, sigurisë kibernetike, menaxhimit të cilësisë dhe grupeve të kapitujve të negociatave, si dhe programe të ndryshme lëvizshmërie, janë hartuar sipas nevojave të ekipeve të administratës publike të rajonit. Dhe këtë vit do të jemi në shërbim të ekipeve të administratës publike dhe Qeverisë së Malit të Zi në rrugëtimin e tyre evropian”, tha drejtoresha Handjiska-Trendafilova.
Ministri Dukaj falënderoi ekipin e ReSPA-s për mbështetjen e deritanishme.
“Ju jeni pjesë e jona”, tha Dukaj, duke theksuar se Qeveria e Malit të Zi dhe Ministria e Administratës Publike do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm ekipin e ReSPA në zbatimin e programit të punës për përmirësimin e kapaciteteve të administratës publike.
“Ne presim mbështetjen e ReSPA në të ardhmen, jo vetëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por edhe në forcimin e kapaciteteve për përmbushjen e obligimeve kur Mali i Zi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian”, tha Dukaj.
Gjatë vizitës, ministri Dukaj së bashku me bashkëpuntorët e tij vizitoi ambientet e reja të ReSPA dhe foli me punonjësit.
Drejtoresha Handjiska-Trendafilova në fund të vizitës theksoi se dyert e ambienteve të ReSPA janë të hapura gjithmonë për Ministrinë e Administratës Publike për organizimin e ngjarjeve të ndryshme.