TENSIONET SHBA-IRAN MBETEN TË LARTA, TEKSA TEHERANI KËRCËNON PËR SHTYPJE TË MËTEJME

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten të larta, ndërsa udhëheqësit e linjës së ashpër në Teheran kanë përsëritur retorikën armiqësore dhe kërcënimet për “ndëshkime të ashpra”, përfshirë mundësinë e ekzekutimeve ndaj protestuesve antiqeveritarë.

Presidenti iranian Masud Pezeshkian, i cili më parë konsiderohej relativisht i moderuar, paralajmëroi se një sulm ndaj liderit suprem, ajatollahut Ali Khamenei, do të shkaktonte “një luftë në shkallë të plotë”.

“Një sulm ndaj udhëheqësit të madh të shtetit tonë është i barasvlershëm me një luftë të plotë me kombin iranian,” tha Pezeshkian.

Në një fjalim të mbajtur dy ditë më parë, Khamenei vlerësoi rolin e Pezeshkianit në shtypjen e protestave të fundit dhe pranoi se gjatë tyre janë vrarë “disa mijëra” njerëz.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër regjimin iranian për përdorimin brutal të dhunës ndaj protestuesve.

Ai tha për Politico se Khamenei është përgjegjës për “shkatërrimin e vendit dhe përdorimin e dhunës në nivele të papara më parë” dhe shtoi se kishte ardhur koha për një “udhëheqje të re” në Iran.

Demonstratat antiqeveritare nisën më 28 dhjetor, fillimisht për shkak të krizës ekonomike, dhe më pas u përhapën në shkallë më të gjerë.

Trump kishte paralajmëruar fillimisht se SHBA-ja “ishte e gatshme” për të vepruar nëse forcat iraniane do të vrisnin protestuesit.

Më pas, ai kërcënoi se do të ndërmerrte “veprime shumë të forta” nëse Irani do të ekzekutonte protestuesit, pas raportimeve për planet për ekzekutime.

Megjithatë, më vonë Trump njoftoi pezullimin e planeve për sulm pasi Irani kishte anuluar 800 ekzekutime, edhe pse Teherani nuk ka konfirmuar këtë shifër dhe nuk ka dhënë informacion nëse planet për varjen e protestuesve janë anuluar plotësisht.

Një zëdhënës i gjyqësorit iranian ka sugjeruar se ekzekutimet mund të kryhen.

“Një sërë veprash janë identifikuar si mohareb, që është një nga ndëshkimet më të rënda islame,” tha ai. Sipas ligjeve iraniane, mohareb, ose “lufta kundër Zotit”, dënohet me vdekje.

SHARE