MILLATOVIQ THËRRET PËR UNITET DHE PËRGJEGJËSI NË KOHË PASIGURIE GLOBALE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në një postim në rrjetin X theksoi se në momentet e pasigurisë globale të shtuar, kur qëndrimet e aleatëve kryesorë strategjikë – Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian – shpesh ndryshojnë, Mali i Zi duhet të forcojë më tej fokusin te ajo që është në dorën e tij.

Sipas tij, këto janë kohezioni shoqëror, institucionet e qëndrueshme dhe besimi mes qytetarëve.

Millatoviq theksoi se ky fokus nënkupton një dialog të hapur dhe të sinqertë mbi të gjitha çështjet e rëndësishme, por edhe një përgjegjësi të qartë të të gjithë aktorëve politikë.

“Në këtë moment nuk ka vend për kokëfortësi politike apo veprime të nxitura nga interesa të ngushta partiake ose personale. Interesi i shtetit duhet të jetë mbi gjithçka,” u shpreh Millatoviq.

Ai shtoi se përvoja tregon se Mali i Zi është më i fortë kur kupton diversitetin e tij si një avantazh, jo si burim përçarjesh, dhe se, siç tha ai, jemi më afër njëri-tjetrit pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare apo gjuhësore, gjë që duhet të jetë pikënisja e çdo politike të përgjegjshme.

Millatoviq bëri thirrje që Mali i Zi të shihet si shtëpia jonë e përbashkët, e cila kërkon punë serioze, qëndrueshmëri dhe një qëllim të përbashkët për stabilitet dhe përparim.

“Është koha të bashkohemi rreth këtij qëllimi me qëndrueshmëri dhe përgjegjësi, duke qenë të vetëdijshëm se një shtet i qëndrueshëm ndërtohet me vendime të menduara dhe afatgjata,” theksoi ai.

SHARE