KQZ VENDOS PËR RINUMËRIM TË PLOTË TË VOTAVE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet në 28 komuna. Po ashtu është vendosur që të shkarkohet përfaqësuesit politikë në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, ku sipas kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, janë vërejtur dallimet më të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Paraprakisht, në këto 28 komuna KQZ kishte vendosur që të rinumëroheshin vetëm 10 për qind e vendvotimeve, ndërkaq në 10 komuna të tjera vendosi për rinumërim të plotë.

Vendimi i 19 janarit vjen pasi gjatë rinumërimit të pjesshëm u vërejtën dallime të mëdha në votat për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025.

Pas zbulimit të këtyre devijimeve, partitë dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan rinumërim të plotë të votave.

Gjatë mbledhjes, kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se në mbledhjen e mbajtur nga Këshilli për Operacione i KQZ-së u analizua raporti i rinumërimit të pjesshëm. Sipas tij, dallimi në votat për partitë politike është minimal dhe “i papërfillshëm”, ndërkaq ai te kandidatët ka “shkallë të lartë të pasaktësisë”.

“Prizreni është rasti më ekstrem”, tha Radoniqi, duke shtuar se 20.343 vota u janë zbritur kandidatëve për deputetë gjatë rinumërimit. Ai tha se në komuna të tjera nuk vërehen dallime të mëdha në votat për kandidatë.

Anëtarët e partive politike në KQZ përkrahën të dyja rekomandimet, duke kërkuar që të ketë përgjegjësi ligjore për devijimin e rezultatit.

Në mbledhje, anëtari nga radhët e komunitetit boshnjak, Almir Sahiti, kërkoi që në rinumërim të përfshihen edhe votat e diasporës. Kryetari i KQZ-së tha se për këtë propozim do të vendoset pas mbledhjes, ndërkaq disa anëtarë të tjerë thanë se këto vota veçse janë numëruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, aty ku gjetën edhe mospërputhjet në votat për kandidatë për deputetë.

SHARE