KOSOVA NDALON QARKULLIMIN E MAKINAVE ME TARGA KM TË REGJISTRUARA NË DHJETOR E TUTJE

Kosova nuk do të lejojë hyrjen dhe qarkullimin e veturave që kanë targat ilegale serbe KM, e që janë riregjistruar nga dhjetori i vitit të kaluar dhe tutje. Kështu tha ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili e akuzoi Serbinë se ka shkelur darkordimin e arritur në nëntor 2022 në Bruksel, sa i përket targave të makinave. Ai konfirmoi se disa makina me targa ilegale KM nuk janë lejuar të hyjnë të mërkurën në territorin e Kosovës, pasi siç tha, ato ishin riregjistruar në muajin dhjetor të vitit të kaluar. “Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe riregjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim”, shkroi Sveçla. “Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojmë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre”, shtoi ai.

Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth akuzave që kanë shkëmbyer Kosova dhe Serbia për mosrespektimin e marrëveshjes rreth targave, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme. “BE-ja kërkon nga të gjitha palët që t’i respektojnë në tërësi dhe pa kushte marrëveshjet dhe aranzhimet e arritura më 23 nëntor të vitit të kaluar, me të cilat edhe Kosova edhe Serbia u pajtuan për masat specifike rreth targave për të ulur tensionet dhe për t’u fokusuar në tërësi te propozimi i BE-së për të normalizuar raportet e tyre”, ka thënë Stano.

SHARE