PDS-ja DO TË MBËSHTESË ÇDO NISMË QË ÇON NË LARGIMIN E QEVERISË AKTUALE

Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS), të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka njoftuar se do të mbështesë çdo nismë që do të çojë në largimin e Qeverisë aktuale të shtetit. “PDS-ja mirëpret gatishmërinë e një pjese të shumicës parlamentare për të propozuar zgjidhje me përfaqësues të disa partive të pakicave, që do të çonin në zhbllokimin e institucioneve dhe përshpejtimin e procesit të bisedimeve me Bashkimin Evropian”, tha partia e presidentit të Malit të Zi. Kështu u përgjigj PDS-ja ndaj nismës për të formuar një qeveri të pakicës, si një model për tejkalimin e krizës politike në Mal të Zi. Siç thanë ata, nisur nga kjo, Partia Demokratike e Socialistëve do të ndjekë me kujdes lëvizjet e mëtejshme të propozuesve të nismës. “Dhe me kalimin e kohës do të vendosin për propozimin e tyre për të dalë nga kriza e gjatë socio-politike, duke marrë parasysh në radhë të parë interesat e Malit të Zi dhe dinjitetin e partisë, e cila është në shërbim të atyre interesave”, njoftuan pas mbledhjes së Kryesisë së PDS-së.

SHARE