Foto: Ilustrim
Qendra Klinike e Malit të Zi ka njoftuar se nga 19 dhjetori ndalohen vizitat për pacientët e hospitalizuar, sipas rekomandimeve të Departamentit të Epidemiologjisë Spitalore, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të pacientëve, stafit dhe vizitorëve.
Informacione mbi gjendjen shëndetësore të pacientëve, anëtarët e ngushtë të familjes, bashkëshortët, prindërit, kujdestarët ose fëmijët mund t’i marrin përmes telefonit çdo ditë nga ora 14:00 deri në 15:00.
Gjërat e nevojshme dhe të lejuara për pacientët mund të dorëzohen nga ora 12:00 deri në 14:00 në pultin informativ të ndërtesës kryesore, Institutit për Sëmundjet e Fëmijëve, Institutit të Onkologjisë dhe klinikave të psikiatrisë, dermatovenerologjisë dhe sëmundjeve infektive, ndërsa stafi do t’ua dorëzojë pacientëve nga ora 14:00 deri në 16:00.
QKMZ kujton se, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik dhe Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, sezoni i gripit dhe infeksioneve të tjera respiratore fillon më herët dhe ekziston një rrezik më i lartë për forma më të rënda të sëmundjes tek pacientët e hospitalizuar.
Ndalimi i vizitave do të zgjasë deri sa situata epidemiologjike të përmirësohet, dhe publiku do të njoftohet në kohë.
Qytetarët ftohen të tregojnë mirëkuptim, bashkëpunim dhe të ndjekin masat e rekomanduara të parandalimit për të reduktuar sëmundshmërinë nga gripi.








