Millatoviq – Plenkoviq (Foto: Zyra e Presidentit/Kabinet predsjednika)
Jemi të vetëdijshëm për sfidat që i kanë dëmtuar marrëdhëniet me Republikën e Kroacisë dhe pikërisht për këtë vendosa të shfrytëzoj rastin e pjesëmarrjes në Samit për t’u takuar me kryeministrin Plenkoviq, tha presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq.
“Kroacia është fqinji ynë i afërt, anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe një vend me të cilin ndajmë interesa dhe detyrime të përbashkëta për ruajtjen e stabilitetit të rajonit dhe forcimin e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Vizioni ynë është i qartë – përmes dialogut konstruktiv dhe respektit të ndërsjellë, të punojmë në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura që rëndojnë marrëdhëniet tona. Kam dërguar një mesazh të qartë se interesat shtetërore malazeze dhe e ardhmja jonë evropiane nuk duhet të jenë robër të politikave të papërgjegjshme që na largojnë nga qëllimi ynë”, tha Millatoviq.
Ai tha se nga pozita e presidentit të Malit të Zi do të përkushtohet në mënyrë personale dhe institucionale për të siguruar që konsultimet dypalëshe të jenë të suksesshme, me një angazhim për të gjetur zgjidhje të pranueshme reciprokisht.
“Bashkëpunimi i fqinjësisë së mirë nuk është vetëm kusht në negociatat e anëtarësimit me BE-në, por edhe themeli i strategjisë sonë të politikës së jashtme dhe çelësi i ndërtimit të besimit në rajon. Besoj se përmes dialogut të ndershëm jo vetëm që mund të zgjidhim sfidat ekzistuese, por edhe të hapim hapësirë për bashkëpunim më të thellë dhe më kuptimplotë që do të përfitojnë të dyja palët”, theksoi Millatoviq.