Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, iu drejtua përmes një video-mesazhi forumit të KE-së për zgjerimin, duke shprehur bindjen se procesi i anëtarësimit të vendeve të reja në Bashkimin Europian është në rrugë të drejtë.
“Në kohë pasigurie gjeopolitike, zgjerimi nuk është thjesht një opsion për paqe, por një investim për sigurinë dhe lirinë tonë kolektive, sepse historia na ka mësuar se kur Europa qëndron e bashkuar, është më e fortë,” tha Leyen.
Ajo rikujtoi vizitat e saj këtë vit në Ballkanin Perëndimor, Ukrainë dhe Moldavi, të cilat, sipas saj, i dhanë shpresë se qëllimi për anëtarësim në BE mbetet i fortë.
“Secili prej atyre udhëtimeve më mbushi me optimizëm. Pashë shpresën e qytetarëve, të shoqërisë civile dhe të bizneseve për një të ardhme europiane,” shtoi Leyen.
Zyrtarja e lartë europiane theksoi nevojën për reforma, por gjithashtu vuri në pah përfitimet konkrete të anëtarësimit.
Sipas saj, vala e fundit e zgjerimit solli dyfishim të standarteve të jetesës, përgjysmim të papunësisë, rritje mesatare të jetëgjatësisë për katër vjet dhe krijimin e gjashtë milionë vendeve të reja pune.
Ajo theksoi se e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe për vendet që do të anëtarësohen në fazën e ardhshme, përmes planeve të reja të rritjes dhe integrimit gradual nga BE-ja.









