SHEFJA E KE-së THOTË SE JANË TRI OPSIONE PËR MBËSHTETJEN FINANCIARE TË UKRAINËS

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një letre dërguar qeverive të Bashkimit Evropian më 17 nëntor tha se janë tri opsione për të përmbushur nevojat financiare të Ukrainës, përfshirë një kredi duke përdorur asetet e ngrira ruse, por edhe kombinimi i të tri opsioneve është i mundur.

“Ne kemi identifikuar tri opsione kryesore, pra mbështetje e financuar nga shtetet anëtare përmes granteve, një hua me përgjegjësi të kufizuar e financuar nga Bashkimi Evropian duke marrë hua në tregjet financiare, ose një hua me përgjegjësi të kufizuar e lidhur me bilancet e parave të aseteve të ngrira”, tha von der Leyen në letrën, raporton Reuters.

Në një dokument opsionesh, që i është bashkëngjitur letrës, Von der Leyen shtoi se “tri opsionet nuk janë të ndërsjella.

Ato mund të kombinohen ose të zbatohen njëra pas tjetrës”.

“Duke pasur parasysh urgjencën e situatës, kompleksitetin e ndryshëm të opsioneve dhe nevojën për të nisur shpërndarjet deri në tremujorin e dytë të vitit 2026, çdo opsion i zgjedhur mund të dizajnohet si kalimtar dhe i kufizuar në kohë”, thuhet në dokument. 

Dokumenti vlerëson se nevoja financiare e Ukrainës për vitet 2026-2027 arrin në 135.7 miliardë euro. Propozimi i KE-së për përdorimin e aseteve të ngrira ruse do të prodhonte një hua prej 140 miliardë eurosh, duke mbuluar nevojat e Kievit.

Në letrën e saj, Von der Leyen i tha kryeqyteteve evropiane se është e nevojshme një vendim i shpejtë.

“Tani do të jetë kyç të arrihet shpejt një angazhim i qartë mbi mënyrën se si do të sigurohet që financimi i nevojshëm për Ukrainën të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian në muajin dhjetor”, tha ajo.

SHARE