Kryediplomati gjerman, Johann Wadephul, kërkoi që Kosova sa më shpejt të ketë një Qeveri të aftë për të vepruar brenda dhe jashtë.
Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Jashtëm gjerman tha se një pritje e tillë pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit është e arsyeshme.
Sipas tij, për disa në rajon, Kosova konsiderohet simbol i demokracisë dhe shoqërisë së fortë civile.
“Në mënyrë që ky sukses të vazhdojë, Kosovës i duhet që sa më shpejt të ketë një qeveri të aftë për veprim si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë. Votuesit janë duke pritur formimin e saj që prej tetë muaj. Ata kanë pritje të arsyeshme që këto procese demokratike të marrin një përfundim pozitiv dhe këtu bën pjesë edhe një qeveri stabile”, tha ai.
Thirrja e tij për një qeveri të re vjen vetëm një ditë para se të përfundojë afati kushtetues për Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje, që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit.
Wadephul tha se Gjermania e mbështet dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por pohoi se ky proces së voni ka ngecur.
“Është shumë e rëndësishme që këtu të ketë shumë shpejt përparim konkret. Marrëveshja e Ohrit, që i përmban të gjithë elementët relevantë për normalizim, duhet të zbatohet shpejt dhe në plotni. Këtë e presim nga të dyja palët dhe për këtë nevojitet më shumë angazhim nga Kosova dhe Serbia”, tha ai.
Wadephul, që po zhvillon vizita në rajonin e Ballkanit Perëndimor, u zotua se Gjermania do ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane, teksa tha se zgjerimi i BE-së është “urgjencë gjeopolitike”.









