Kryeministri i Serbisë Millosh Vuçeviç është shprehur se në piën kufitare të Merdares, e vetmja të cilën Qeveria e Kosovës e hapi për të kaluar mallrat nga Serbia, ka nervozizëm dhe se inspektimet po zgjasin shumë.
“Kurti vazhdon të krijojë kushte që serbët të mos jetojnë normalisht në Kosovë. Inspektimet zgjasin me qëllim, krijon nervozizëm dhe vështirëson hyrjen e mallrave serbe në Kosovë”, tha kryeministri serb, duke shtuar se në këtë mënyrë “anulohet ajo që është rënë dakord dhe është nënshkruar në Berlin”.
Vuçeviç tha se lejimi i hyrjes së mallrave nga Serbia në Kosovë është gjë e mirë, por e vështirë të realizohet në praktikë, sepse vetëm vendkalimi Merdare është i hapur.
“Ne presim që të hapen vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak. E gjitha kjo është një lojë durimi, lëvizje të vogla në një lojë të madhe”, u shpreh kryeministri serb.
Për kryeministrin Albin Kurti, Vuçeviç tha se ai “është nervoz për zgjedhjet e planifikuara të 9 shkurtit të vitit të ardhshëm, si dhe për zgjedhjet amerikane” që, sipas tij, do të përcaktojnë fatin e botës dhe gjeopolitikës në të paktën katër, e ndoshta edhe dhjetë vitet e ardhshme.