ORAV: PRIORITET SUNDIMI I LIGJIT

Mali i Zi është shënuar si një nga udhëheqësit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për të siguruar këtë status duhet ti japë prioritet sundimit të ligjit, deklaroi Shefi i Delegacionit të BE në Malin e Zi, Aivo Orav.

Ai në sesionin e Komitetit të Përbashkët Këshillimor të Komitetit të Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi në Nikshiq, tha se qeverisjet lokale janë aktorët kryesorë për sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

“Mali i Zi, duhet të punojë në profesionalizimin dhe depolitizimin e shërbimit publik. Puna e madhe dhe rezultatet e mira në këto fusha do të çojnë që Mali i Zi të bëhet anëtare e BE-së. Shërbimi publik profesional duhet të jetë në gjendje t’i përgjigjet efektivisht nevojave të qytetarëve dhe të kapërcejë politizimin. Për të arritur këtë, është e nevojshme të përmirësohen kapacitetet e burimeve njerëzore “, deklaroi Orav.

Sipas fjalëve të tij,Delegacioni i BE-së ftoi Qeverinë e Malit të Zi, të marrë pjesë në zbatimin e programit të bashkëpunimit ndërkufitar me Shqipërinë dhe Kosovën, lidhur me qeverisjet lokale, për shkak të zhvillimit socio-ekonomik.

“Përmirësimi i kapaciteteve të pushtetit lokal do të mundësojë pjesëmarrjen në këto dhe programe të ngjashme. BE ka investuar rreth 7 milionë euro në projekte të ndryshme dhe njëra prej tyre është sanimi i pikës së zezë ekologjike, gjegjësishtë deponia afër Cetisë”, tha Orav.

SHARE