GJENERALI AMERIKAN: SHQIPËRIA, UDHËHEQJE TË VËRTETË NË RAJON

Në kuadër të Konferencës së 28-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut (SHBA-A5), gjeneral Alexus G. Grynkewich vlerësoi udhëheqjen e Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë në rajon, duke theksuar se këto dy vende kanë treguar një angazhim të fortë dhe të qëndrueshëm për sigurinë dhe stabilitetin nga të cilët përfitojnë të gjithë.

Ai iu bëri thirrje dy vendeve që të vazhdojnë dhe të tregojnë angazhim për çuarjen përpara të sigurisë dhe stabilitetit nga të cilët të gjithë përfitojnë.

Grynkewich tha më tej se “SHBA-Karta e Adriatikut është një forum i pazëvendësueshëm për të vazhduar dialogun strategjik drejt një Evropë të lirë, të sigurt dhe të begatë”.

“Marrëdhëniet e qëndrueshme të krijuara përmes Programit të Partneritetit Shtetëror janë jetike për sigurinë evropiane”, tha ai.

I ndalur tek nënshkrimi i deklaratës së përbashkët gjatë konferencës, Grynkewich tha se ky “dokument riafirmon angazhimin tonë për një vizion të përbashkët për Evropën Juglindore dhe thekson rëndësinë e koordinimit të ngushtë për sigurinë rajonale”.

Gjatë fjalës së tij gjenerali amerikan tha se “duhet të punojmë së bashku që shpenzimet për mbrojtjen të shndërrohen në aftësi të vërteta”.

“Ndërsa kombet tona rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe bëjnë hapa të mëdhenj në modernizimin ushtarak, ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar që këto investime të shndërrohen në aftësi të vërteta”, theksoi ai.

“Kjo kërkon përqendrim të vazhdueshëm në përmirësimin e ndërveprueshmërisë, ndërtimin e gatishmërisë dhe zhvillimin e marrëveshjeve mbështetëse. Pas dëgjimit të të gjitha diskutimeve optimiste sot, jam i bindur se mund t’i arrijmë këto qëllime”, u shpreh Grynkewich.

Gjenerali amerikan tha se grupi i punës për zbatimin ka një program pune rigoroz për vitin e ardhshëm për të siguruar që të përmbushim kërkesat e së nesërmes.

“Teksa ecni para, dijeni se nuk jeni vetëm në përballimin e këtyre sfidave. Ju mund t’i drejtoheni kolegëve tuaj, aleatëve dhe partnerëve tuaj të SHBA-Kartës së Adriatikut dhe së bashku do të përqafojmë një të ardhme të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë”, u shpreh ai.

SHARE