Foto: DAN
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, ka theksuar se Ndërmarrja Publike “Deponia” nuk ka marrë pëlqimin e Komunës së Tuzit për të ndërtuar një vaskë të re sanitare në deponinë Livade, e cila ndodhet në territorin e kësaj komune.
Ai ka bërë thirrje që drejtoria e kësaj ndërmarrjeje të ndalojë menjëherë ndërtimin e paligjshëm, në të kundërtën do të ndërmerren të gjitha procedurat ligjore, përfshirë kallëzimet penale dhe njoftimin e institucioneve ndërkombëtare.
Siç ka sqaruar Gjelaj, deponia në fjalë ndodhet në territorin e Komunës së Tuzit dhe çdo veprim që rrezikon banorët e Tuzit, shëndetin e tyre dhe mjedisin jetësor, përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj komunitetit të tyre.
“Devastimi i hapësirës jashtë mureve të deponisë është absolutisht i papranueshëm dhe kërkon reagim urgjent. Për këtë kam pasur edhe një premtim verbal nga drejtori i Deponisë se kjo praktikë do të ndalet, por është e qartë se premtimet nuk janë zbatuar. Komuna e Tuzit nuk do të tolerojë më mashtrime dhe injorimin e interesave të qytetarëve tanë. Theksoj gjithashtu se çdo ndërtim i vaskave të reja sanitare pa pëlqimin e Komunës së Tuzit është vepër penale. Kjo është një shkelje e qëllimshme e ligjit dhe kompetencave të vetëqeverisjes lokale dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë”, tha Gjelaj.
Ai shtoi se askush nuk mund dhe nuk do të anashkalojë Komunën e Tuzit në vendimmarrjen për çështje që prekin drejtpërdrejt territorin dhe qytetarët e saj. Sipas tij, protesta e qytetarëve është më se e justifikuar, sepse ata nuk po mbrojnë vetëm oborret dhe shtëpitë e tyre, por po luftojnë për një mjedis të shëndetshëm, për ajër të pastër dhe siguri nga katastrofat ekologjike.
“Lufta e tyre është lufta e të gjithëve ne, dhe pakënaqësia e tyre është e kuptueshme dhe e justifikuar”, u shpreh Gjelaj.
“Drejtori i Deponisë, Aleksandar Bozhoviq, në vend që të ndiqet penalisht për ndërtim të paligjshëm, lejon vetes të mashtrojë publikisht qytetarët duke përhapur të pavërteta. Ai madje ka tentuar të mashtrojë qytetarët protestues duke pretenduar se ka leje nga Komuna e Tuzit, gjë që është plotësisht e pavërtetë dhe e papranueshme. I gjithë kaosi dhe problemi rreth deponisë buron nga veprimet e paligjshme të vetë Bozhoviqit, i cili pa leje ndërtimi ka shpallur tender dhe po përpiqet me forcë, në kundërshtim me ligjin, të ndërtojë një vaskë sanitare. Ajo që ai paraqet si ‘projekt shtetëror’ dhe ‘investim ekologjik’ është në thelb një vepër penale klasike”, vlerësoi kryetari i komunës së Tuzit.
Ai shtroi pyetjen pse organet shtetërore nuk reagojnë dhe pse lejojnë që drejtori i një ndërmarrjeje publike të ndërtojë pa leje, pa u ndëshkuar.
“A do të thotë kjo se për institucionet, ligjet nuk vlejnë kur bëhet fjalë për veprime të paligjshme në territore ku jetojnë pakicat? Aleksandër Bozhoviq është simbol i sjelljes antishtetërore dhe antievropiane – ai jo vetëm që nuk respekton ligjin, por abuzon publikisht me resurset shtetërore dhe përpiqet t’ua paraqesë qytetarëve një vepër kriminale si ‘interes shtetëror’”, tha Gjelaj.
Ai rikujtoi se plani urbanistik për deponinë është shfuqizuar, në bazë të ligjit dhe vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare.
“Drejtori i Deponisë dhe udhëheqësia e kësaj ndërmarrjeje nuk duhet të presin që qytetarët me protestat e tyre të ndalojnë shkeljen e ligjit, por janë të obliguar të ndalojnë menjëherë të gjitha aktivitetet e paligjshme. Nëse vazhdohet me injorimin e ligjit dhe përpjekjet për të ndërtuar dhe zgjeruar deponinë pa pëlqimin e Komunës, Komuna e Tuzit do të ndërmarrë të gjitha procedurat ligjore, përfshirë edhe kallëzimet penale ndaj personave përgjegjës. Nëse nuk ndalet menjëherë degradimi i hapësirës, do të detyrohemi të kërkojmë përfshirjen e institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare. Nëse dikush mendon se do ta shndërrojë Tuzin në oborr për mbeturinat e të tjerëve, në kundërshtim me ligjin dhe me vullnetin e qytetarëve, duhet ta dijë se do të përballet me një përgjigje të vendosur, të qartë dhe të qëndrueshme nga Komuna e Tuzit dhe qytetarët e saj. Ne do ta mbrojmë komunën tonë me të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore, pa kompromis. Tuzi është një komunë e jetesës së denjë, jo viktimë e papërgjegjshmërisë së të tjerëve”, theksoi Gjelaj.