KURTI TAKON PËRFAQËSUESIT E AGJENCIVE TË KOMBEVE TË BASHKUARA

Në një mëngjes pune, kryeministri Albin Kurti, bashkëbisedoi me përfaqësues të agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë me në krye Koordinatoren, Arnhild Spence.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se tema të diskutimit ishin prioritetet dhe projektet e Qeverisë dhe bashkëpunimi me këto agjenci në avancimin e tyre.

Në veçanti, është diskutuar për bashkëpunimin në zhvillimin ekonomik përmes mbështetjes ndaj bizneseve e turizmit, sidomos në pjesën veriore të vendit tonë. Po ashtu, është diskutuar për zhvillimin e transportit urban për lidhjen më të mirë ndërmjet lagjeve e qyteteve.

Kryeministri i informoi të pranishmit rreth punës më shumë se trevjeçare të qeverisë dhe progresin e arritur i cili është dëshmuar edhe nga rangimi i Kosovës në indekse e matje ndërkombëtare, duke u udhëhequr mbi parime të demokracisë, mirëqenies sociale, sundimit të ligjit dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Përmendi mes tjerash krijimin e 15 mijë vendeve të reja të punës edhe përmes platformës “Superpuna”, rritjen e punësimit për gratë, ku me masat e qeverisë u mbështet punësimi i mbi 12 mijë grave. Ai shtoi se edhe në veriun e vendit po punohet për rritjen e vendeve të punës dhe të mundësive të barabarta për të gjithë, përfshirë këtu edhe përfitimet nga programet e efiçiencës së energjisë”, thuhet tutje në komunikatë, njofton Klankosova.tv.

Kryeministri i falënderoi përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara për bashkëpunimin e ngushtë, punën e përbashkët dhe bashkëbisedimin e frytshëm.

Në këtë takim mori pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

SHARE