BERLIN, MBLIDHEN MINISTRAT E BALLKANIT PERËNDIMOR: REGJISTRIM BIOMETRIK EMIGRANTËVE

Në mesin e diskutimeve që ka ngjallur rikthimi i kontrolleve kufitare të Gjermanisë, ministrat e brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor u takuan në ministerialin e  parë të Procesit të Berlinit për këtë vit, i cili në fokus kishte pikërisht çështjet e sigurisë, emigracionit dhe krimit të organizuar.

Ministrat nga Ballkani Perëndimor dhe përfaqësues të lartë nga BE-ja, Komisioni Evropian dhe Britania e Madhe, ranë dakord në një deklaratë qëllimi që të intensifikojnë bashkëpunimin në këto fusha: “Ramë dakord të përmirësojmë shkëmbimin e të dhënave me vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e menaxhimit të migracionit dhe krimit të organizuar”, sqaroi në fund të takimit ministrja gjermane e punëve të Brendshme, Nancy Faeser.

Konkretisht bëhet fjalë për regjistrimin biometrik të refugjatëve dhe emigrantëve të paligjshëm. Faeser theksoi nevojën për përfshirjen e autoriteteve financiare dhe sociale në luftën kundër rrjeteve kriminale, me qëllim ndjekjen e pasurive të tyre dhe ndërprerjen e rrjedhave të paligjshme të parave: “Ne do të zbatojmë metodën ‘Follow-the-Money’ edhe në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që autoritetet e zbatimit të ligjit të mund të identifikojnë, bllokojnë dhe konfiskojnë pasuritë kriminale.”

Gjithashtu, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht e fokusuar në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, mbetet një prioritet i përbashkët”, sqaroi ministrja. Emigracioni i paligjshëm përmes rrugës ballkanik ka rënë me 77% këtë vit, falë bashkëpunimit me Frontex. Ministrat shprehën sakaq shqetësim për mbylljen e kufijve dhe kërkuan zgjidhje të përbashkëta në kuadër të BE-së.

Ministri grek, Nikos Panagiotopoulos u shpreh se veprime të njëanshme, si vendosja e kontrolleve kufitare nga ana e Gjermanisë, qofshin këto edhe të përkohshme, nuk e zgjidhin problemin.

SHARE